Prokurorët e specializuar në Hagë do ta kenë të vështirë ta dëshmojnë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fajtorë për krimet e supozuara, thonë për Radion Evropa e Lirë dy ekspertë të drejtësisë tranzicionale, Mathias Holvoet dhe Aidan Hehir.
Holvoet, ligjërues i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, thotë se atij i ka bërë përshtypje edhe se sa i fuqishëm është ekipi i mbrojtjes i të akuzuarve.
“Problemi është gjithmonë në gjetjen e lidhjes mes krimeve të kryera fizikisht në terren dhe njerëzve më të fuqishëm në organizatë, si [Hashim] Thaçi, [Kadri] Veseli, [Rexhep] Selimi dhe [Jakup] Krasniqi. Dhe, këtë do të duhet ta dëshmojë Prokuroria dhe do të jetë e vështirë. Për të qenë i sinqertë, instinkti më thotë se mund fare mirë të ketë shpallje pafajësie”, thotë Holvoet, duke shtuar se mund të ketë dallime mes katër të akuzuarve
Për Holvoet dhe Hehir – studiues i drejtësisë tranzicionale, intervenimit humanitar dhe shtetndërtimit në Kosovë nga Universiteti Ëestminster në Angli – ajo që bie më së shumti në sy është përdorimi i termit “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
“Kushdo që është në dijeni për atë që ka ndodhur në Kosovë nuk do të habitet që ka pretendime se anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime. Por, kjo gjykatë duket se po e akuzon UÇK-në në tërësi për një lloj strategjie të madhe, që mendoj se është e paqëndrueshme”, thotë Hehir për Evropën e Lirë.
“Ideja që UÇK-ja të jetë një ndërmarrje kriminale… ky term është shumë nënçmues dhe mendoj se kjo do t’i alarmojë njerëzit [në Kosovë] dhe do ta prekë me të vërtetë atë nerv që njerëzit ndiejnë në lidhje me UÇK-në si heronj”, shton ai.
Sipas Hehir, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të jetë nën hijen e protestave që u zhvilluan në Hagë dhe në Prishtinë para nisjes së këtij procesi. Kjo veçanërisht pasi që ai pret që procesi të jetë i ngadaltë.
“Unë mendoj se do të jetë një proces i ngadaltë i zbulimit të informacionit për tre, katër, pesë, ndoshta edhe gjashtë vjet”,shton ai, duke u shprehur i zhgënjyer me kohëzgjatjen e këtij procesi.