Omnibusi i radhës i UBO consulting ka nxjerrë matje mjaft interesante për fuqinë e partive politike, të cilat i ka parë Gazeta Express nga një prej klientëve të kësaj kompanie. Sipas këtyre matjeve, për herë të parë pas dy vitesh, në sondazhe, LVV-ja është nën 40 për qind. PDK vazhdon të jetë e dyta, ndërsa LDK e treta.
Pas një viti e gjysmë pushteti, matjet që po bëhen, tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të kishte më rezultat “referendumi” në zgjedhje.
Në një sondazh të cilin e ka siguruar Gazeta Express, ku qytetarët janë pyetur se kë do ta votonin, nëse do të mbaheshin së shpejti zgjedhjet nacionale, rezultatet kanë dalë shumë më ndryshe prej zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Nga të anketuarit, 35.8 për qind janë përgjigjur se do ta votonin LVV-në në zgjedhjet e ardhshme. Kur shpërndahet përqindja e atyre që refuzojnë të përgjigjen dhe e atyre që janë të pavendosur, LVV-ja del se do t’i merrte 39.6 për qind.
Në mars, në matjet që UBO Consulting i kishte kryer për Gazetën Express dhe T7, LVV-ja kishte dalë te 41.9 për qindëshi.
Partia Demokratike, në matjet e kryera, del e dyta. 19.8 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do ta votonin PDK-në nëse zgjedhjet mbahen këtë të diel. Me vota të deklaruara, PDK-ja del se do të merrte 21.9 për qind të votave.
E treta, si në zgjedhjet e 14 shkurtit, është akoma LDK-ja, që tash udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
Në matjet e fundit, LDK-ja del se do të merrte 18.4 për qind të votave. Kur shpërndahet përqindja e të padeklaruarve, përqindja e LDK-së është te 20.3.
Këtu është përfshirë edhe partia e themeluar nga Presidentja Vjosa Osmani. E ndarë nga LVV-ja, lista “Guxo” del se do të merrte 1.3 për qind të votave, sipas këtyre matjeve.
Aleanca e Ramush Haradinajt ka dalë se do të votohej nga 6.7 për qind e të anketuarve.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti, sipas matjeve, as një për qind të votave s’do të merrnin Alternativa, AKR-ja dhe PSD-ja.
Nisma Socialdemokrate, në këtë sondazh del se do të merrte 1.9 për qind të votave.
Rezultatet e zgjedhjeve të fundit – 14 shkurt, 2021
Në zgjedhjet e fundit nacionale, LVV-ja e kishte marrë saktësisht atë që dëshironte. Rezultati përfundimtar e nxori atë të parën me mbi 50 për qind. 49 për qindëshin tjetër ua kishte lënë të gjitha partive të tjera bashkë.
Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind.
Derisa LVV-ja po shënonte rezultatin më të thellë ndonjëherë në zgjedhje, LDK-ja doli me më së paku vota në historinë e saj.
LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave.