Përveç arrestimit të tre personave, Halil Mehmetaj dhe dy djemve të tij, Kreshnik dhe Malsor Mehmetaj, njësitet policore tashmë kanë nisur aksionin për kapjen e të dyshuarit të katërt lidhur me vrasjen e trefishtë në Gllogjan. Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se së shpejti pritet kapja e tij nga Policia e Kosovës.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se provat e grumbulluara deri më tani mbështesin dyshimin e bazuar se të arrestuarit mund të jenë përfshirë në vrasjen e shoferit të autobusit dhe dy nxënësve.
Sipas provave, motivi i vrasjes së trefishtë dyshohet të jetë hakmarrja për vetëvrasjen e 20-vjeçares nga Gllogjani, Heroina Mehmetajt, e cila i dha fund jetës së saj më 14 qershor 2020. Për vetëvrasjen e saj fajësohej shoferi që u vra, Gani Gjokaj.
Sinjali po ashtu mëson se lidhur me vrasjen e trefishtë, hetuesit e Krimeve të Rënda në stacionin policor në Deçan kanë intervistuar edhe një nip të familjes Mehmetaj, i cili është liruar në mungesë të provave.
Në konferencën e jashtëzakonshme që do të mbahet nga ora 21:30, pritet të marrë pjesë kryeprokurori i shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë dhe udhëheqësi i hetimeve nga Policia.