Aksioni i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë i zhvilluar sot në Prizren ka rezultuar me sekuestrimin e mbi 19 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe arrestimin e një personi të dyshuar. Droga u gjet në shtëpinë e tij ku është kryer bastisja, teksa i njëjti është prangosur dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarit, i cili do të hetohet për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari që u kap me më shumë se 19 kilogramë marihuanë është Avni Qarri, 39-vjeçar, i cili ka qenë objekt hetimi nën dyshimet se merrej me drogë.
Në shtëpinë e tij është kryer kontroll në mesditë, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar 19 kg e 546 gr drogë, që siç mëson Sinjali kap vlerën e rreth 40 mijë euro.
Ndaj Qarrit pas arrestimit dhe përfundimit të procedurave policore është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.