Lojërat e fatit janë aktivitete të ndaluara me ligj, por shteti po vazhdon të sfidohet nga persona e grupe kriminale që ushtrojnë këtë veprimtari ilegale. Për një rast të tillë që u zbulua së fundmi në Prizren, Policia ka arrestuar një person të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që u arrestua nën dyshimet se ka organizuar lojëra fati është Besnik Mazreku.
Ai përfundoi në prangat e Policisë të enjten në mëngjes dhe tashmë ndodhet në mbajtje.
Sipas të njëjtave burime, pasi Policia është vënë në dijeni lidhur me informacionet për organizimin e lojërave të tilla, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme që çuan në identifikimin e të dyshuarit.
I riu që po dyshohet për këtë rast ka organizuar dhe shpërndarë baste online, përmes një faqeje në internet – duke vepruar kështu jashtëligjshëm.
Si rezultat, i dyshuari u prangos dhe u shoqërua në stacion policor, ndërsa telefoni i është sekuestruar në cilësi të provës materiale.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, organizon, merr pjesë apo ndihmon në organizimin e veprimtarive të skemave piramidale, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.