Grupi prej katër personash, të dyshuar për përfshirje në dy raste të vjedhjeve të rënda në Ferizaj, tashmë kanë përfunduar në prangat e Policisë. Vjedhjet janë kryer në fund të dhjetorit, në dy restorante në fshatin Jezerc. Policia e ka konfirmuar arrestimin e tyre, ndërsa janë zbuluar detaje të reja, raporton Gazeta Sinjali.
Rastet kanë ndodhur më 30 dhe 31 dhjetor dhe janë raportuar nga pronarët e dy restoranteve, ‘Dora’ dhe ‘Point On’ – që ishin cak i hajnave.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se katër personat e arrestuar janë Meriton Guta dhe Luan Baliu, të dyshuar për vjedhje të rëndë, si dhe Gentrit Hajdari dhe Xhavit Gashi, për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara nga kryerja e veprës penale.”
Siç merr vesh Gazeta Sinjali, në restorantin ‘Dora’ janë vjedhur tre televizorë dhe tre të tjerë janë dëmtuar (vlera rreth 6 mijë euro), arka fiskale, monitor dhe kabllo elektrike (vlera rreth 8 mijë euro) – si dhe është dëmtuar edhe dera e hyrjes.
Kurse në restorantin e dytë janë vjedhur një gjenerator elektrik dhe shishe të ndryshme alkoolike.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.