Gazeta Sinjali raportoi sot për një operacion kundër drogës që u zhvillua të shtunën në mbrëmje nga Policia në Prizren dhe rezultoi me sekuestrimin e një sasie të kokainës e marihuanës, si dhe prangosjen e dy personave të dyshuar. Bastisjet janë zhvilluar në dy banesa dhe pas përfundimit të aksionit, të dyshuarit janë shoqëruar në Polici.
Burimet nga Prokuroria kanë njoftuar për Sinjalin se dy të dyshuarit e arrestuar për këtë rast janë Bledar Shterbani, 30-vjeçar, ndaj të cilit Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, si dhe Shqiprim Gashi, i cili është lënë i lirë.
Çka u sekuestrua gjatë këtij aksioni?
Nga kontrolli i Policisë i kryer në dy banesa janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme, që do të shfrytëzohen në procedurë kundër dy të dyshuarve.
Sipas informacioneve të para, Policia ka sekuestruar disa qese me marihuanë, rreth 10 të tjera me kokainë, pako me rizilla, dhjetëra euro, telefona e pajisje për përpunimin e narkotikëve. Siç mëson Sinjali, edhe një veturë e të dyshuarve është sekuestruar, e cila tashmë ndodhet në stacionin policor në Prizren.
Me t’u përfunduar aksioni, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me veprën me të cilën ngarkohen ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Dënimi që parashihet për ata që kryejnë këtë vepër penale
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej dy (2) deri në tetë (8) vjet”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.