Ferit Osmani që është gjyqtar i Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni penal në Gjykatën e Apelit të Kosovës, ka mundësuar lirmin nga paraburgimi të Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, raporton Gazeta Papirus.
Gazeta Papirus nga burimet e veta mëson se gjyqtari i Gjykatës së Apelit, del të jetë djali i axhës së Presidentës së Kosovës, Vjosa Osmanit.
Gjykata e Apelit të Kosovës ka aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtësve të tre të arrestuarve për aferën me rezerva shtetërore.
Përmes një njoftimi për media, kjo gjykatë ka bërë me dije se Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi janë liruar për t’u mbrojtur në liri, shkruan Gazeta Papirus.
“Gjykata e Apelit e Kosovës-Departamenti Special, me aktvendimin PN1.S.nr.165/2023, i ka aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve I.L, H.G dhe R.M, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PPPS.nr.35/2023, të datës 19.08.2023 e ka ndryshuar, ashtu që të pandehurve I.L, H.G dhe R.M, ju është ndërprerë masa e paraburgimit dhe të njëjtit janë liruar për t’u mbrojtur në liri”, është thënë në njoftim.
Më tej, bëhet e ditur se gjykata nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, e për të cilat është kusht primar masa e paraburgimit.
“Në arsyetim të aktvendimit Gjykata e Apelit ka theksuar se gjykata e shkallë së para nuk ka arritur që të vërtetoj dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, e për të cilat është kusht primar për ligjshmërinë e paraburgimit, mirëpo në arsyetim e aktvendimit të ankimuar janë dhënë me tepër bindje e dyshimit të arsyeshme duke mos pasur mbështetje në artukulushmerin për të ndërlidhur provat me veprimet e të pandehurve, prandaj nuk është arritur që të argumentohet në fuqinë provuese të provave se me veprimet e të pandehurve është arritur që të ketë dyshim për veprat penale dhe me ketë gjykata vetëm ka potencuar kronologjinë e ngjarjes mirëpo nuk ka dhëne vlerësim dhe arsyetim mbi fakte të cilat janë paraqitur në kërkesën për caktimin e paraburgimit”, është thënë në njoftim, duke shtuar se gjykata e shkallës se parë ka tejkaluar kompetencat kur ka vendosur masën e paraburgimit.
“Kolegji i gjykatës së shkallës së dytë konstatoi se në këtë stad të procedurës penale nga gjykata e shkallë së pare është tejkaluar kompetenca e vlerësimit e parapara sipas normave ligjore nga fakti se gjykata në aktvendimin e ankimuar është lëshuar në vlefshmërinë e ligjshmërisë se ligjeve (administrative), vendimeve të qeverisë, si dhe në nxjerrjen e konkluzioneve të elementeve subjektive të dashjes në lidhje me veprat penale të cilat pretendohet të jene kryer nga ana e të pandehurve”, është thënë në njoftim.
Si ndodhi arrestimi i tyre dhe pse?
Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 gusht të pandehurve Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi ju kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj. Ndaj dy të parave masa është marrë nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Kurse, Ridvan Muharremit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Zyrtarët e arrestuar të MINT-it janë drejtori Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
Ndërsa, Ridvan Muharremi, i cili është pronar i restorantit “Bukë e Zemër”, njihet si mik i ngushtë i kryeministrit Albin Kurti.
Arrestimi i këtyre personave kishte nxitur reagime të ashpra në vend. Kryeministri Albin Kurti i kishte dal në mbrojtje Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, të cilës i kërkohej dorëheqja pas aferave me rezervat shtetërore.
/Gazeta Papirus/