Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media theksoi se një shtyse e re, konkrete, nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e SHBA, për finalizimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është sot një domosdoshmëri po aq alarmante sa situata në degradim të vazhdueshëm në veriun e Kosovë.
Rama theksoi më tej se interesi ynë kombëtar e interesi i Shqipërisë si shtet kërcënohet nga kjo situatë dhe siç tha ai “ky rajon nuk është as i Albinit as i Aleksandrit, ky rajon është i popujve, shteteve që e popullojnë dhe që e administrojnë”.
“Ky rajon ka vuajtur boll nga nacionalistët, nga nacional-folkloristët dhe përplasjet e vazhdueshme të cilat mund edhe të kenë pasur justifikimet e tyre në kohërat tjera, por si kanë më sot në mes të një Evrope që kërkon me çdo kusht të mbështesë paqe”, tha më tej kryeministri i Shqipërisë, raporton Telegrafi.
Sipas tij, kjo situatë i shkon për shtati vetëm Rusisë.