Veteranët e luftës së UÇK-së do të protestojnë sot në orën 10:00 para Kuvendit të Kosovës. Protesta e tyre vjen në shenjë pakënaqësie për mos përfshirjen e tyre në ngritjen e pagës minimale.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se veteranët ndihen të diskriminuar për shkak të anashkalimit të tyre.
“Do të dalim që të protestojmë të hënën. Do të fillojmë të mblidhemi prej orës 10:00, për ta kundërshtuar ndryshimin që do ta bëjë Kuvendi i Kosovës të këtij ligji”, ka thënë Klinaku.
Sipas tij, as qeveritë e kaluara e as kjo qeveri, asnjëherë nuk kanë krijuar komision për t’i kategorizuar veteranët e luftës dhe se ligji i vetëm që është në fuqi është ai që lidhet me pagën minimale.
“Edhe veterani i luftës së UÇK-së ka familje, dhe nuk mund të jetojë me 170€. Lufta e tij ua ka mundësuar që të uleni në kolltuçe. Prandaj, të hënën me datë 6 qershor 2022 prej orës 10:00, para Kuvendit të Kosovës, protesto kundër shkeljes së të drejtave të tij”, ka deklaruar Klinaku.
Në mbështetje të kësaj proteste ka dalë Lëvizja për Bashkim. Kjo lëvizje ka deklaruar se e bindur në drejtësinë e kësaj çështjeje, të ngritur nga OVL e UÇK-së, ka vendosur që ta mbështes protestën dhe do të marrë pjesë aktive në të.
“LB është bindur se këndvështrimi i mbrapshtë se kategoritë e dala nga lufta janë barrë për shoqërinë është antinjerëzor e antikombëtar. Me projektligjin e Qeverisë së Kosovës, i cili do të shqyrtohet të hënën në Kuvendin e Kosovës, parashihet që të rrëzohet ligji aktual që e lidh pensionin e veteranit me pagën minimale, (edhe ashtu ka qenë pension shumë i vogël, 170 euro), pra të mos ketë rritje për këtë kategori ashtu siç parasheh projektligji për pagën minimale. Lëvizja për Bashkim fton që jo vetëm veteranët, por të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës dhe të mos lejojmë që kategoritë më meritore për lirinë që po e gëzojmë të na shndërrohet në kategori sociale. Jo diskriminimit të mëtutjeshëm të luftëtarëve të lirisë. Të gjithë në protestë në mbrojtje të njerëzve më meritorë për lirinë që po e gëzojmë”, thuhet në një komunikatë të LB-së.