Gjykata e Lubjanës ka rrëzuar në shkallën e dytë rastin e hapur nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka paditur televizionin slloven Planet TV për shpifje, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë e ka bërë të ditur kryeredaktori i Planet TV, Mirko Mayer, i cili përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se rasti i ngritur nga Berishaj përfundoi edhe për së dyti pa efekt juridik.
Mayer madje iu drejtua edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili pati thënë se pret që drejtësia të vihet në vend për Berishajn.
“Dëgjoj se kryeministri i Kosovës @albinkurti ka bërë një deklaratë për Novica Mihajlo në Delo dhe ka shprehur shpresën se drejtësia do të vendoset në rastin e Berishaj kundër PlanetTV. Po ju njoftoj se i është plotësuar tashmë dëshira. 16.2. Çështja penale e Berishës u rrëzua nga gjykata e shkallës së dytë”, shkroi ai në Twitter.
Kujtojmë se mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.