Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka deklaruar se ka qenë ai që e kërkoi shtyrjen e vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas zhvillimeve në veri të vendit dhe dorëheqjes së kryetarëve të komunave atje.
Krasniqi ka thënë se ai ka vlerësuar që vizita e tij dhe kryetarëve të komunave, duhet të shtyhet për në pranverë.
“Jo nuk është e vërtetë, aspak. Në fillim të këtij viti, ne kemi pasë një delagacion nga IOËA në Kosovë edhe për fundvit, për tash, ishte planifikuar një vizitë atje me 6-7 kryetarë që kanë binjakëzime me IOWA. Unë kam kërkuar më datën 7 nga kabineti që kjo vizitë të shtyhet për në pranverë, pasi kam vlerësuar që si ministër i komunave, të jem këtu kur janë dorëhequr kryetarët e 4 komunave”.
Ndërkohë, edhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është shtyrë vizita, kurse ajo doli me një reagim, duke pretenduar se vendimin e ka marrë së bashku me Ambasadës Amerikane.
Veç kësaj, vizita për në SHBA, i është shtyrë edhe kryetarit të komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Aktualisht jemi në vizitë zyrtare në Austri, jemi duke marrë pjesë në ni kuorum të bizneseve dhe unë nuk mund të kthehem në Kosovë dhe kam kërkuar që ky takim të shtyhet”, ka thënë Bulliqi.