Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, këtë pasdite ka mbërritur në portin e Vlorës për të kaluar disa ditë pushime.
Ajo do të vendoset në vilën qeveritare në Vlorë së bashku me të shoqin dhe të bijën, raporton Albanian Post.
Siç lajmëroi gazeta italiane “Corriere della Sera”, Meloni ka pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama.
Në agjendën shumë sekrete presidenciale do të ishte edhe një vizitë private në shtëpinë e Edi Ramës, i cili ditë më parë në Instagram krahasoi bumin e turizmit italian të vitit 2023 në vendin e tij me zbarkimet e emigrantëve shqiptarë në brigjet tona në vitin 1991. Po sipas Corriere, kryeministrja italiane vetëm pak orë do të rrijë në Vlorë dhe do të kthehet më pas sërish drejt Puglia-s, ku do të vijojë pushimet e saja verore.
Qëllimi i vizitës nuk dihet ende, por e gjitha vjen vetëm pak ditë pasi Rama bëri bujë në mediat italiane me deklaratat e tija për Melonin, të cilën e quajti një “tigër” të politikës dhe një shtetare, e cila në sytë e Evropës ka mbajtur fjalime veçse të vërteta dhe pa asnjë gabim.
Ndër temat e diskutimit mes të dyve ndërkaq, mund të jetë edhe çështja e Kosovës, në dialog me Serbinë, për të cilën Italia në muajt e fundit ka treguar kujdes të shtuar dhe ka kërkuar përfshirjen me mediatorë në çështje.
Ndërsa, pas, nuk lihen as kalimet e emigrantëve të jashtëligjshëm përmes rrugës që kalon në Shqipëri, duke qenë se vendi është portë kryesore karshi brigjeve italiane.
Çështjet e bashkëpunimit mes vendeve në të gjithë sektorët, si edhe investimet italiane në Shqipëri, janë po ashtu pjesë e përhershme e bisedimeve ndërmjet liderëve shqiptarë dhe atyre italianë.