Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Europian (BE) janë duke shqyrtuar dy faza të sanksioneve kundër Kosovës nëse ajo nuk përmbush detyrimet e saj dhe nuk deskalon situatën në veri, duke përfshirë sanksionet kundër kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, sipas një teksti të brendshëm të qeverisë amerikane të cilën e ka parë Euronews Albania, transmeton Gazeta Metro.
Sipas Euronews Albania, faza e parë e sanksioneve do të parashikonte ngrirjen e fondeve të BE’së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e anëtarësimit për Këshillin e Evropës, fondet e SHBA’së dhe projekte të tjera të financuara nga perëndimi.
Faza e dytë do t’i shihte aleatët e Kosovës që të merrnin një qëndrim pasiv ndaj fushatës së çnjohjes së Serbisë kundër Kosovës, riorganizimit të pranisë ushtarake ndërkombëtare dhe reduktimit serioz të kontingjentit amerikan dhe përjashtimit të Kosovës nga disa organizata ndërkombëtare.
Ai parasheh edhe sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Sveçla, nëse situata në terren përkeqësohet më tej. Kjo mund të përfshijë shpalljen e të dyve si “non grata me justifikimin se ato përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.
Në dokument thuhet se “komuniteti transatlantik ka një nevojë jetike për të mos lejuar një qendër krize prapa linjave të kontaktit me Rusinë… Me nisjen e planit franko-gjerman, ekzistonte bindja se do të lindnin probleme me palën serbe, pasi një anë kokëfortë dhe jokonstruktive.”
Aty vazhdon, “askush nuk e priste që do të ishte Qeveria e Kosovës ajo që me veprimet e veta do të nxiste pasigurinë dhe do të nxiste krizat dhe konfliktet”.
Teksti vazhdon se komunitetit perëndimor i ka mbetur pa durim dhe kërkon “një përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës. A është apo jo partner i komunitetit transatlantik?”
Aty thuhet se të jesh partner do të thotë përmbushje pa kushte të të gjitha detyrimeve dhe “dështimi për ta bërë këtë do të thotë pasoja”.
Krahas kritikave ndaj qeverisë aktuale, dokumenti kritikon opozitën në Kosovë dhe i akuzon ata se “nuk e kuptojnë thellësinë e seriozitetit të situatës dhe rrezikun real për Kosovën”.
Aty shtohet se opozita duhet të dalë dhe të deklarojë qartë nëse është apo jo për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në dialog.
“Fakti që opozita nuk e bën këtë gjeneron mosbesim dhe projekton oportunizëm,” shton ai.
Së fundi, teksti thotë se “nëse Kosova dështon të përmbushë detyrimet e saj, ajo rrezikon të ardhmen e saj”.
Euronews Albania pyeti Komisionin Evropian nëse ata ishin në dijeni të dokumentit dhe ishin dakord për masa të tilla të mundshme.
Një zëdhënës u përgjigj: “Ne nuk komentojmë rrjedhjet e supozuara, dhe në veçanti jo për diçka që pretendon të jetë një dokument i supozuar i një vendi të tretë në lidhje me veprimet e supozuara të BE-së