Deputetja nga radhët e PDK’së, Ganimete Musliu, ka reaguar pas dënimit të ish-pjesëtarit të UÇK’së, Salih Mustafës, të cilin Gjykata Speciale e dënoi me 26 vjet burg, duke thënë se është e tmerruar.
Ajo ka kujtuar se si kishte votuar kundër themelimit të Gjykatës Speciale.
“Faleminderit Zot, që ma dhe durimin me e përballu stresin e presionit që m’u shkaktua kur po votohej Gjykata Speciale. Faleminderit që ma dhe guximin qe t’iu qëndroj fort bindjeve të mija të familjes, farefisit dhe shoqërisë sime. Faleminderit të gjithë atyre që më mbështeten e më përkrahen në ato ditë torturuese që më besuan dhe më dhanë kurajo kur vendosa të votoj kundër kësaj gjykate që sot po e përdhosë gjakun e sakrificen e popullit tim”, ka shkruar Musliu.
Ndryshe, Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën, raporton Express.
Ai është shpallur fajtor për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar.
Në përmbledhje të aktgjykimit, Kryegjakatësja Mappie Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.
“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.