Para Stacionit Policor të Graçanicës do të protestohet të marten në ora 11:00, ka njoftuar Organizata “Opre Roma”, të cilët pretendojnë që “një grup prej 4-5 zyrtarësh policorë” kanë ushtruar “dhunë brutale” ndaj një pjesëtari të komunitetit rom të quajrur Burhan Ibrahimoviq, rast ky i cili edhe është duke u hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Organizata njofton se katër-pesë zyrtarë policorë “kanë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat themelore njerëzore” dhe se e kanë lënë Ibrahimoviqin “të rrahur, të mavijosur, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht”.
Kjo organizatë ka ftuar “të gjithë banorët e Kosovës” në mbështetje të thirrjes së tyre për “drejtësi, barazi dhe të drejta të njeriut”:
“Opre Roma” tregon se Ibrahimoviq ishte ndaluar në Stacionin Policor në Graçanicë pas akuzave për një konflikt me një banore të Graçanicës, dhe se pas lëshimit nga paraburgimi atij i është dashur të kërkojë “ndihmë mjekësore” nga dhuna e ushtruar mbi të.
“Në atë që mund të përshkruhet vetëm si një shpërdorim i tmerrshëm i pushtetit, ai iu nënshtrua dhunës brutale fizike, një shkelje që shpërfill në mënyrë flagrante të drejtat e tij themelore njerëzore. Incidenti e la Burhanin të rrahur dhe të mavijosur, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht”.
“Pas lirimit të tij nga paraburgimi policor më 19 gusht 2023, Ibrahimovic kërkoi kujdes të menjëhershëm mjekësor në një spital lokal. Lëndimet e tij janë dokumentuar nga mjekët, duke vërtetuar peshën e dhunës që ka pësuar. Në përpjekje për të siguruar drejtësi dhe llogaridhënie, incidenti është denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.
Kjo organizatë ka dalë edhe me një video ku ka kërkuar nga të gjithë të përkrahet protesta, ku edhe ka treguar pamje të të dëmtuarit.
Opre Roma” thotë se çështjen e kanë adresuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës dhe se po presim “dhënien e drejtësisë”.
Ndërkaq nga IPK kanë njoftuar se janë në fazën “preliminare të hetimeve” në një përgjigje për kohën ditore.
“IPK-ja e konfirmon se ka pranuar ankesën nga qytetari në fjalë dhe e njëjta është në fazën e hetimit preliminar. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat nga hetimi dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, thanë nga IPK.
Organizata fton për pjesëmarrje dhe mbështetjen e protestës nga autoritetet lokale, organizatave ndërkombëtare, mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve të interesuar për drejtësi, barazi dhe të drejtat e njeriut.
“Opre Roma Kosova dënon me vendosmëri këtë akt dhune dhe solidarizohet me Burhan Ibrahimovic dhe gjithë komunitetin rom në Kosovë. Ky incident nënvizon çështjet sistematike brenda kuadrit të zbatimit të ligjit dhe nxjerr në pah nevojën urgjente për reforma. Lëvizja beson fuqishëm se çdo individ, pavarësisht nga prejardhja e tij, meriton të trajtohet me dinjitet, drejtësi dhe respekt”, thuhet në njoftim.