Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën ‘Azem Lukaj’ në Pejë, ku një person është gjetur pa shenja jete, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se rreth orës 06:00 kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një person ndodhej pa ndjenja dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës. Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar vdekjen e tij.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në kuadër të zhvillimeve hetimore është intervistuar i biri i të ndjerit, i cili ka deklaruar se e ka gjetur babain e tij të varur në një kabllo të rrymës elektrike.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘Hetim mbi vdekjen’.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.