Gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, ka raportuar për përleshjen fizike që ndodhi të enjten në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se incidenti ndodhi përderisa kryeministri Albin Kurti ishte duke folur për masat për ulejn e tensioneve me serbët etnikë në pjesën veriore të vendit. Lajmin për këtë ngjarje e ka publikuar edhe agjencia amerikane e lajmeve, “Associated Press”, nga e cila është marrë teksti nga gazeta “The Guardian”.
“Një përleshje shpërtheu në Kuvendin e Kosovës, pasi një ligjvënës i opozitës i hodhi ujë kryeministrit Albin Kurti, përderisa ai ishte duke folur për masat qeveritare për uljen e tensioneve me serbët etnikë në veriun e vendit”– raportojnë agjencia e njohur amerikane dhe gazeta e famshme britanike.
Agjencia dhe gazeta theksojnë se partitë opozitare në Kosovë i kanë kritikuar politikat e Kurtit në veriun e vendit, të cilat i kanë tensionuar marrëdhëniet me aleatët kyçë perëndimorë.
“ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian i kanë vënë presion Kurtit për ta ndihmuar qetësimin e situatës. Dhuna shpërtheu në maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave, të mbështetur nga policia, u vendosën në zyra pas zgjedhjeve që ishin bojkotuar gjerësisht nga shumica etnike serbe në atë zonë”– thuhet më tej.
“Të mërkurën, Kurti njoftoi se do ta zvogëlojë numrin e policëve të njësisë speciale të vendosur pranë katër ndërtesave komunale në zonat me shumicë serbe në veriun e Kosovës dhe se do të mbahen zgjedhje të reja komunale në secilën qytezë”– raportohet nga mediat prestigjioze.