Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani për ka dhënë detaje për praninë e njësive speciale të Policisë së Kosovës në fabrikën “Ivo Lola Ribar” në Zubin Potok.
Elshani ka thënë se kanë asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe se aty kanë shkuar me kërkesë të tyre.
“Ata kërkuan mbështetjen tonë dhe shkuan atje për të kontrolluar se çfarë po ndodh me objektin e tyre dhe njësitë tona dhe Policia e Ndërhyrjes ofruan mbështetje”, ka thënë Elshani, për “radiokim.net”
Ai shtoi se njësitet policore nuk janë më në terren, por se pjesëtarët e Agjencisë janë ende aty.
Për çka bëhet fjalë?
Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se deri më 8 shtator, katër institucione serbe duhet të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë argumentuar se i përket komunës së Mitrovicës së Veriut.
REL ka marrë vesh se disa punëtorë të këtyre institucioneve e kanë kaluar natën në këtë objekt.
Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.
Para kësaj, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, më 7 shtator iu drejtua komunitetit ndërkombëtar, përfshirë shteteve të QUINT-it dhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, duke thënë se paralajmërimi për largimin nga ky objekt i institucioneve serbe “mund të çojë në thellimin e krizës në veri të Kosovës dhe rritjen shtesë të tensioneve në terren”.
Në letrën, që Petkoviq u dërgoi përfaqësuesve ndërkombëtar, u tha se veprimet e tilla të “njëanshme dhe joligjore nga Prishtina paraqesin një provokim të rrezikshëm” që sipas tij kërcënojnë të drejtat dhe jetën e popullit serb që jeton në veri të Kosovës.
Ndërkaq, më 6 shtator, Lista Serbe –partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha se institucionet serbe nuk do të largohen nga objekti.
Autoritetet në Mitrovicë të Veriut kanë argumentuar se objekti u përket atyre dhe se i njëjti duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Megjithatë, në një deklarim të mëhershëm për REL-in, ato nuk specifikuan për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë.
Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Kjo komunë, së bashku me tri komuna të tjera në veri, që nga prilli kanë kryetarë shqiptarë, të cilët u zgjodhën në votimet e bojkotuara nga popullata serbe.
Në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.
Pas rritje së tensioneve, Qeveria e Kosovës u pajtua në korrik që të ndërmerrte hapa drejt shtensionimit të plotë të situatës. Një ndër hapat për të cilat u pajtuan Prishtina dhe Brukseli parasheh edhe krijimin e bazës ligjore që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.
Në këtë drejtim, më 5 shtator u publikua udhëzimi i ri administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni.