Të gjithë janë hedhur kundër DJ argjentinas Fernando Palacio, i fyer në rrjetet sociale pasi akuzohet se i ka transmetuar Covidin Lionel Messit. Kjo është historia e shëmtuar që, siç raporton gazeta franceze Le Parisien, mbërrin nga Amerika e Jugut.
Fatkeqi Palacio është detyruar madje të postojë një test negativ në Instagram për të vërtetuar se nuk ia ka transmetuar ai virusin “Pleshtit”. “Është faji i tij?” është insinuata e përsëritur rregullisht pasi DJ kishte publikuar një foto të realizuar me Messin në një festë një javë më parë, duke falënderuar lojtarin e PSG-së dhe të afërmit e tij që e lejuan të merrte pjesë.
Palacio kishte marrë pjesë disa ditë më parë në një mbrëmje tjetër ku ishin identifikuar disa raste me Covid-19 mes pjesëmarrësve. Mjaftueshëm për ta paditur, siç shpjegoi ai vetë në një histori në Instagram të dielën. “Sapo u zgjova dhe mora shumë mesazhe, jam bërë trend në Tëitter sepse Messi doli pozitiv me Covid dhe njerëzit thonë se e infektova unë. Kam marrë shumë mesazhe private dhe disa njerëz shkuan aq larg sa më quajtën vrasës”, tha ai.
I infektuar nga Coronavirus dhe i detyruar të humbasë rikthimin e kampionatit me PSG-në pas pushimit dimëror, shtatë herë Topi i Artë është aktualisht i bllokuar me familjen e tij. “Leo është në kontakt me shërbimin mjekësor të klubit. Kur të jetë negativ, ai do të kthehet tek ne. Ai është në Argjentinë. Nga ai moment e tutje do të shohim nëse ai mund të luajë,” tha trajneri Mauricio Pochettino.