Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhikut, duke folur për situatën në të cilën gjendet Kosova, pas eskalimit të situatës në veri dhe pas ndëshkimeve nga SHBA. Ai ka thënë se Kurti ka vendosur që ta mbrojë Kosovën nga Amerika. Ne jemi të vendosur ta mbrojmë Kosovën nga dëmet që Kurti po ia shkakton interesit nacional të Kosovës. Ndërsa për heshtjen e presidentes Osmani ka thënë se është abstenim nga funksioni kushtetues, transmeton Gazeta Papirus.
Abdixhiku tha se do t’i përdorin të gjitha format institucionale që t’i ndalin veprimet e Kurtit. Madje sipas tij, heshtja e presidentes Osmani, është abstenim nga funksioni e përgjegjësia që ajo ka.
“LDK-ja e fton Presidenten e vendit që të flasë, të ketë pozicion të qartë dhe të zëshëm në këtë çështje jetike të përballjes publike të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e SHBA-së. Heshtja, në momente e tema si këto, nga institucioni më i lartë i vendit, është abstenim nga funksioni kushtetues”, tha Abdixhiku.
Fjalimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Republikës,
Sot, nuk është një ditë e zakonshme. E as një javë e zakonshme. Që prej të premtes po ballafaqohemi me një situatë të pamenduar e të paparë për një kohë të gjatë – Kosova nën sulm të vazhdueshëm nga bandat kriminale të Vuçiqit, e Kryeministri i Kosovës në sulm fatkeq ndaj miqve tanë ndërkombëtar.
Kjo nuk i kishte ngjarë ndonjëherë Kosovës.
Sa herë kemi qenë të sulmuar nga Serbia, kemi qenë të mbrojtur nga miqtë amerikanë dhe aleatët evropianë. Sepse kemi qenë të bashkërenduar me ta. Sepse kemi vepruar bashkë me ta, sepse kemi ndarë të njëjtat vlera, të njëjtat interesa e të njëjtin vizion.
Këtë përmbysje aleancash, vizioni e prioritetesh për Republikën e Kosovës askush nuk e ka dashur. Për këtë përmbysje askush nuk ka votuar. Prandaj këtu nuk mund të flasim për tjetër gjë përveç se për një aventurë tejet të rrezikshme personale të Kurtit, e cila nuk ka asnjë pikë legjitimiteti politik e demokratik. Sepse shkatërrimi i aleancës me miqtë tanë as nuk ka përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës, vullnet ky historikisht properëndimor, as nuk është në interes të popullit të Kosovës interesa strategjikisht të lidhura me aleancën perëndimore e tejoqeanike.
Duhet thënë në krye të herës – sulmet e bandave parapolitike në veri, bashkimi i tyre me krimin e organizuar, dhe prania e interesave pro ruse brenda këtyre formacioneve paraqesin rrezik real për Kosovën, por edhe më gjerë, për tërë rajonin.
Kjo situatë duhet kuptuar drejt nga miqtë tanë perëndimorë. Sulmet ndaj Republikës së Kosovës sot janë sulme ndaj paqes rajonale. Për këtë paqe rajonale, për rëndësinë e saj, ne ndajmë qëndrimet me miqtë tanë ndërkombëtar.
Por Kosova e ka pas ndarë mendjen që t’i përqafojë vlerat perëndimore të paqes e sigurisë, demokracisë e gjithëpërfshirjes, mirëqenies e tolerancës. Ne insistojmë që Kosova të vazhdojë në këtë drejtim. Dhe asnjëherë të mos e humbin fokusin nga interesi ynë strategjik kombëtar nga taktika aventuriere afatshkurta elektorale të politikave të gabuara të momentit.
Dhe rrezikojmë që kjo të na ndodh. Situata e krijuar në veri i konvenon pikërisht interesit politik të Vuçiqit. Dhe interesave luftënxitëse të Rusisë. E kështu më së shumti rrezikohet Kosova.
Prandaj me të drejtë themi se Kosova nuk duhej të binte në grackën e Serbisë. Se përkundër të drejtës absolute, të pakontestueshme e plotësisht legjitime për të organizuar zgjedhje, zgjedhur kryetarë, e ofruar siguri për ta kur ata të janë në punë, Kosova duhet të ketë parasysh EDHE, relacionet me miqtë tanë. E drejta jonë, pa aleatë, mbetet vetëm e drejtë e paimplementuar. E Kosova megjithatë ka mundësi edhe të ushtrojë të drejtën edhe të mbajë aleatët në krah.
Për këtë, megjithatë, nuk na duhet një politikë që ofendon me gjuhë jodiplomatike Sekretarin Amerikan të Shtetit, por një që me maturi, me shumë kujdes e me diplomaci, e bind secilin aleat.
Dhe pikërisht këtu, të nderuar qytetarë,
Nuk ka moment më të duhur e më të rëndësishëm se sa sot ta evokojmë frymën tonë politike që na lindi, na rriti e na solli deri këtu. Dhe nuk ka moment më të rëndësishëm historik për Kosovën që ta ketë të gjallë e të zëshme këtë frymë që e drejtoi rrugën drejt pavarësisë, e konceptoi politikën e Republikës, dhe e realizoi aspiratën historike të popullit këtu. Ajo frymë e Presidentit historik Rugova e përcaktoi Kosovën shtet të pavarur, e dizajnoi rrugën e këtij pavarësimi përmes demokracisë e vlerave perëndimore dhe e jetësoi këtë shtet deri në ditët e sotme. Dhe po aq me rëndësi i krijoi miqësitë e aleancat e kësaj Republike që e mbajtën atë gjallë e e forcuan. Deri sot kjo ka qenë rruga politike që Kosova nuk e ka lëshuar kurrë.
Sot, pikërisht kjo rrugë po vihet në mëdyshje. Sot, në një moment kur Kosova ka nevojën më të madhe për miqtë perëndimorë, për t’i bërë ballë sulmit të shumëfishuar të binomit Serbi-Rusi, Kurti ka zgjedhur të luftojë kundër aleatëve tanë perëndimor. Një luftë e tillë nuk e ndihmon Kosovën, sepse e rrezikon Kosovën. Një luftë e tillë nuk e fuqizon Republikën, sepse e pakëson atë. Një luftë e tillë nuk na bën më Sovran, sepse na e cungon sovranitetin. Sepse nuk i shtrin institucionet në veri, por e largon veriun nga institucionet e nga Kosova.
Kurti ka vendosur kinse që ta mbrojë Kosovën nga Amerika. Ne jemi të vendosur ta mbrojmë Kosovën nga dëmet që Kurti po ia shkakton interesit nacional të Kosovës.
Kurti ka vendosur të luftojë kundër aleatëve tanë, për qëllime politike, për pak vota më shumë. Ne jemi të vendosur të luftojmë bashkë me ta për Kosovën. Dhe kjo luftë kërkon maturi diplomatike, bashkërendim me miqtë ndërkombëtar dhe insistim në mbrojtjen e interesit të Kosovës. Por një prej INTERESAVE jetike të Kosovës ka qenë dhe mbetet miqësia me Amerikën dhe BE-në. Nuk mund të mbrohet Kosova kur cenohet ky interes.
Po, të nderuar qytetarë të Republikës,
Do të kishte me qenë jashtëzakonisht e rëndësishme që këto vlera të ishin të mishëruara në Institucionet e Republikës. Do të kisha qenë shumë i lumtur që fjalë të tilla e sjellje të tilla t’i dëgjoja e shihja ne Qeveri. Do të doja të rreshtohesha prapa një politike të përgjegjshme shtetndërtuese. Por këtë nuk po e shoh. Jo në këtë qeveri. Dhe jo me këtë qeveri. Një tjetër gjë po shohim. Tjetër gjë po dëgjojmë. Të jeni të bindur se për krejt tjetër gjë kemi nevojë.
Nga sot LDK-ja nuk do të sillet sikur jemi në situatë normale politike.
Nga sot do t’i përdorim të gjitha rrugët institucionale, politike e demokratike që ta ndalim këtë degradim e theqafje të cilën e ka sjellë Kurti e ka instaluar në krye të ekzekutivit.
Kosova ka nevojë t’i kthehet dinjiteti dhe perspektiva. Kosova ka nevojë që ta ketë të ardhmen e vet, që ta mund ta planifikojë zhvillimin e vet e mirëqenien për qytetarët e vet. Nuk mund të lejojmë që taktikat aventureske, fëmijërore e naive të Kurtit të shndërrohen në fatura për Kosovën dhe popullin tonë. Asnjë borxh nuk ia kemi Kurtit. Asnjë borxh të tijin personal nuk do ta pranojmë për Kosovën. E ardhmja politike e tij le të jetë brengë për të. Ai le të vazhdojë të mbetet peng i vetes. E ardhmja sovrane e Kosovës do të jetë preokupimi ynë kryesor dhe i vetëm.
Në këtë drejtim:
1.LDK-ja e fton Kryeministrin në seancë të jashtëzakonshme raportuese për gjendjen në Veri, dhe në veçanti për relacionet e rënduara të Republikës së Kosovës me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-të.
2.LDK-ja kërkon koordinim të ngushtë të Qeverisë së Kosovës me kërkesat ndërkombëtare, si hap i parë drejt qetësimit të situatës në veri. Ky koordinim nënkupton bashkërendim të aktiviteteve me aleatë, nëpërmjet një dialogu të hapur e të sinqertë.
3.LDK-ja e fton Presidenten e vendit që të flasë, të ketë pozicion të qartë dhe të zëshëm në këtë çështje jetike të përballjes publike të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e SHBA-së. Heshtja, në momente e tema si këto, nga institucioni më i lartë i vendit, është abstenim nga funksioni kushtetues