Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar substanca narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar dje, ku disa informacione se një person ushtron veprimtarinë e shitjes së narkotikëve të llojit kokainë në qytetin e Prizrenit dhe më gjerë, kanë aktivizuar Policinë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është ndalur nga një njësi policore dhe gjatë kontrollit trupor, atij i janë gjetur dy qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Policia në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës ka realizuar një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku është gjetur dhe sekuestruar drogë e llojit kokainë. Po ashtu është kontrolluar edhe vetura personale e të dyshuarit, mirëpo aty nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.
26-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në prezencën e avokatit të tij mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i riu të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.