Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe deputetët, Arben Gashi, Avdullah Hoti dhe Armend Zemaj dyshohet se kanë qenë cak i një kërcënimi dhe ndaj tyre është planifikuar antenat. Sipas informacioneve të para, e gjithë kjo dyshohet të lidhet me motive politike. Rasti tashmë është denoncuar edhe në Polici dhe janë marrë veprimet e nevojshme hetimore, raporton Gazeta Sinjali.
Nga Policia deklaruan për Sinjalin se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin në fjalë, teksa rasti u konfirmua edhe nga partia.
Sinjali mëson se kërcënimi ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve është zbuluar nga Shërbimi Sekret i Gjermanisë dhe i dyshuari është shqiptar.
Edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala, ka konfirmuar planin për atentat ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Shala nuk ka dhënë emrat e deputetëve që ishin pjesë e kësaj liste për atentat, që sipas tij, po përgatitej nga dy organizata dhe ka të bëjë me atak politik ndaj LDK-së si kundërshtar.
“Nuk dimë shumë sepse është vetëm fillimi. Informacionet I kemi marrë sot. S’ka të bëj me një aktivitet konkret, por ka të bëj të bëj me një lloj ataku kundër kundërshtarëve politik dhe më saktësisht kundër kundërshtarit politik kryesor sot që është LDK. Mos më kërkoni më shumë”, ka thënë Shala për RTV Dukagjinin.
Shala nuk e ka mohuar që atentati i planifikuar të jetë i lidhur me subjekte politike.
“Po natyrisht, sepse kundërshtar politik jashtë Kosovës nuk kemi. Dhe kjo shkon përtej LDK-së”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për një rrjet njerëzish qe veprojnë në Kosovë dhe disa vende të BE-së.
“Mund të konfirmoj që është një rrjet njerëzisht në Kosovë dhe disa vende të BE-së dhe pretendohet për dy organizata, njëra nga të cilat pretendohet që vepron në Kosovë tjetra jashtë Kosovës dhe ajo jashtë Kosovës ka marrë përsipër që të financojë ekzekutimin e këtij plani”, ka deklaruar tutje ai.
Ai ka dhënë detaje edhe për mënyrën se si është identifikuar ky grup njerëzish, ende i panjohur.
“Për një lloj planifikimi, për një rrjet njerëzish të lidhur me organizata në Kosovë dhe shtete të tjera të BE-së dhe jashtë territorit të Evropës. Individë të cilët, kanë rënë në përgjime të një prej agjencive inteligjente kryesore të bashkimit Evropian. Dhe nga ajo që na është thënë ne, del që ka pasur një plan të strukturuar për këtë gjë. Nuk mund të jap shumë informacione, natyrisht”, ka thënë Shala.
E lidhur me rastin është deklaruar edhe deputeti që ishte në listën e eliminimit, Armend Zemaj, i cili ka thënë se janë në pritje të verifikimeve nga organet e sigurisë së Kosovës.
“Nuk është mirë që dëgjojmë këso lajmesh, por shpresojmë qe organet do t’i trajtojnë këto informacione me kujdes te veçantë. Na është konfirmu për tentim atentat. Deri më tani këto janë që i dimë edhe ne. Më shumë është Policia por edhe partnerët tjerë ndërkombëtarë që kanë marrë këtë informacion dhe janë në kontakt me kryetarin Abdixhiku e kolegët tjerë, shpresojmë t’i identifikojnë.. në momentin kur është njoftu Policia e Kosovës gjithçka është në duart e tyre. Ne jemi zyrtarë e përfaqësues të qytetarëve. Duhet të presim ata se çka na ofrojnë e çka do të hetojnë të kësaj mendësie të ulët para këtij planifikimi që të eliminojnë. Gjithçka ka qenë në koordinim me Policinë. Brenda 24 orëve ka dalë si informacion dhe u bë publike në këtë fazë të hershme. Motivet janë politike nga ajo që është thënë..”, tha ai.
Zemaj madje ka përmendur edhe eksponentët e VV-së, për të cilët thotë se po ta dijë nëse janë të përfshirë në një mënyrë në këtë atentat, do të ju shkoj te dera e shtëpisë.
“Kemi pranuar informacion, të bazuar. Por, informacioni së pari është përcjell në organet hetimore, pastaj te Policia e Kosovës. Nuk di më shumë për besë. Për mua dukej fatkeqësisht normale, duke u nisur prej asaj çfarë kemi kaluar si familje. Te shohim çfarë po prodhon e nesërmja. Potencialisht si ideologji mund të jenë të ndërlidhur me VV-në. Me ditë që janë në VV i shkoj te dera kryetarit të VV-së ose të asaj partie, se kam dert atë punë. Nëse ata munden me pas ndikim. Te shohim çfarë po thonë policia dhe partnerët tjerë që kanë informacione. Është tepër e ultë me bisedu, dhe më e poshtër me dëgju që një shqiptar e dëshiron eliminimin.”, tha tutje Zemaj në Kanal10.
Pa fjalë, ka reaguar për herë të parë pas raportimeve për planifikimin e këtij atentati edhe deputeti tjetër i LDK-së, Avdullah Hoti.
Hoti ka ndryshuar fotografinë e kopertinës në faqen e tij në Facebook, duke e vendosur logon e partisë së cilës i përket nga fillimi i karrierës së tij politike.