Një mbledhje e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është planifikuar të mbahet nesër. Vendndodhja e mbledhjes së nëntë të dy qeverive është në Gjakovë. Por tashmë ka dyshime nëse kjo mbledhje e paralajmëruar do të mbahet mes dy qeverive.
Burimet e gazetës Nacionale informojnë se ka dilema nëse do të vazhdohet me itinerarin dhe agjendën e planifikuar për mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë. Këto burime thonë se Qeveria e Shqipërisë, që udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama, ka shprehur mëdyshjet e saj nëse duhet të mbahen kjo mbledhje. Madje, burimet kanë paralajmëruar një paraqitje të Ramës, ku do të sqarohet kjo çështje.
Në lidhje me këtë temë, gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Në pyetjen nëse do të mbahet kjo mbledhje, Kryeziu nuk ka kthyer përgjigje deri tani.
Përplasja Kurti-Rama
Në fakt, që nga java e kaluar, është vërejtur një tension mes dy kryeministrave, pra mes Kurtit dhe Ramës, pasi ky i fundit e dërgoi një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në adresë të ShBA-së, Francës dhe Gjermanisë.
Një nismë e tillë, nuk u prit fare mirë nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila dikur në platformën e saj politike e synonte bashkimin me Shqipërinë. Rama u akuzua ashpër nga eksponentë të ndryshëm të LVV-së, që udhëhiqet nga Kurti. Madje, një deputete e VV-së, deklaroi se Rama më shumë e do Serbinë se sa Kosovën.
Një përgjigje për çështjen e draftit të Asociacionit të hartuar nga Rama, e ka dhënë sot personalisth edhe Kurti, duke thënë se Rama duhet t’i dorëzojë Serbisë propozimin e tij për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Nuk kam dyshim që Rama që beson se propozimi i tij është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë krejt që unë propozoj është që kryeministri Edi Rama këtë propozim t’ia prezantojë presidentit të Serbisë më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë e Bujanoc. Pra, pa dyshim që kryeministri Rama beson që ky është model i mirë, pra do të duhej t’ia bënte si propozim Vuçiqit për shqiptarët në Luginën e Preshevës”, tha Kurti, raporton Nacionale.
“Propozimi im është që duke besuar në atë që beson kryeministri Edi Rama që modeli i tij është i mirë, në vend se të propozohet për serbët në Kosovë, t’ia propozojë Beogradit në Serbi”, tha Albin Kurti.
Ndryshe, dje Rama foli edhe për kundërshtarët e draftit të tij, duke i akuzuar se ata jetojnë ende me komunizëm.