Arben Gashi, i cili nuk i siguroi votat vetmas për t’u bërë deputet – por, që arrin të hyjë pas largimit të Gazmend Muhaxherit nga mandati i fituar – kërkoi rinumërim në QKN-të në Prishtinë.
Për më tepër, foli edhe për manipulim të votave me postë në diasporë.
Ani pse mori gati dy fish më shumë vota se në vitin 2021, Arben Gashi, pretendon se ky rezultat nuk reflekton vullnetin real të votuesve ndaj tij.
Kërkoi rinumërim në Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Prishtinë.
“Dështim”, tha ai, dhe kërkoi “ruajtjen e besimit në procesin demokratik”.
“Një fenomen tjetër i vërejtur në këto zgjedhje është manipulimi masiv me votën e diasporës. Këto vota, siç po shihet, janë manipuluar sidomos brenda partive politike. Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura. Vendi ka nevojë për institucione përfaqësuese dhe të besueshme”, shkroi Arben Gashi.
Gashi në shkrimin e vet gjeti “miratimin” e disa bashkëpartiakëve të vet si Driton Selmanaj, Avdullah Hoti dhe Rrezarta Krasniqi ndër të tjerë.
Në një formë më të butë gjeti miratimin edhe të Hykmete Bajramit, e cila i qëndroi – ndonëse në gjuhë të gjeneralizuar – kërkesës për rinumërim dhe hetimit “të secilit dyshim”.
“Le të rinumërohet secila votë, le të hetohet secili dyshim, le të verifikohet çdo gjë. Ne kemi institucione të thirrura për këtë punë, andaj askush nuk duhet të frikësohet nga rinumërimi dhe hetimi”, shkroi Bajrami.
“Çdo dyshim duhet të zbardhet me shpejtësi dhe vendosmëri, pasi që vetëm kështu forcohet besimi dhe integriteti i procesit zgjedhor. Për LDK-në vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe kushdo që ka tentuar ta devijojë atë, vendin e ka në burg. Të gjithë jemi të barabartë para ligjit”.
“Secili anëtar, secili përkrahës, secili votues duhet të angazhohet për të mbrojtë vlerat e LDK-së dhe për ta rikthyer atë si forcën e parë politike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit”.
Rrezarta Krasniqi – e cila formalisht del të jetë dëmtuar për “1 votë” – doli me një listë të përditësuar pas rinumërimeve në Vushtrri.
Kandidati tjetër nga Vushtrria, sipas saj, mori 88 vota më shumë – ndërsa për vete pretendoi të jetë dëmtuar “me dhjetëra vota”.
“Për detaje më të hollësishme nga shtrembërimi i vullnetit të qytetarëve të Vushtrrisë për mua si kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa kolegëve të tjerë do të njoftoheni pas raportit të plotë që do ta publikoj prokuroria”, shkroi ajo.
