Disa përgjime që ngrisin dyshime serioze mbi një aferë korrupsioni që përfshin edhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu, është publikuar sot.
Në emisionin “Ditari i Buzhalës” në Gazetën Nacionale, sot është trajtuar një rast korrupsioni që dëmton interesin publik dhe ku përmendet dhe emri i ministrit Aliu.
Bëhet fjalë për kompaninë “Infratek”, ku kishte punuar këshilltari i ministrit Aliut, Florent Ramqaj, e cila është pronë e dajës së tij, Halil Jahaj.
Në përgjimet e publikuara, Idriz Shala, një punëtor i kompanisë “Infratek”, dëgjohet teksa kërkon ryshfet në emër të kompanisë dhe pronarit të saj Jahaj nga një kompani tjetër.
Raportohet se “Infratek” ka është kontraktuar nga institucionet për të bërë pranimin e disa projekteve infrastrukturore dhe në saje të saj, kompania “shfrytëzon kompetencën” e saj për të kërkuar ryshfet nga një tjetër kompani në mënyrë që t’i bëhet pranimi i projektit të përfunduar.
Projekti konkret, sipas gazetës, lidhet me ndërtimin e rrugës Gjakovë-Dollc.
Krejt dyshimet bien mbi këshilltarin Ramqaj dhe rrjedhimisht ministrin Aliu, për shkakt afërsisë së madhe të Ramqajt me kompaninë “Infratek”, e cila përmes kompetencës së marrë, ka një pushtet mbi kompanitë tjera, të cilave u lëshohen pagesat vetëm pas miratimit të projekteve nga kompania e afërt me këshilltarin e ministrit.
Në përgjimin e publikuar, Shala, në emër të kompanisë “Infratek” kërkon 30 mijë euro nga kompania punëkryese.