Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për kryeinspektorin e Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku. Atyre u është caktuar masa e arrestit shtëpiak, raporton Koha.
Të dy ishin ndaluar të enjten me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës.
Nikçi, i cili është emëruar jashtëligjshëm në pozitë të kryeinspektorit të punës, dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “Përdorim i paautorizuar i pasurisë”.
Edhe Shalaku është ndaluar shkaku i dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.