Policia e Kosovës ka dhënë një tender në vlerë të 124 mijë eurove për larjen e katër veturave. Me këto para sipas përshkrimit do të pastrohen dy xhipa dhe dy vetura të thjeshta. Çmimi për njësi është thënë se është 10.72 cent.
Një tender jo fort të zakonshëm e ka dhënë Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme.
Ky institucion i sigurisë ka treguar se për larjen e vetëm katër veturave do të shpenzohen 124 mijë euro, shkruan Demokracia.com.
Kjo vlerë e parave është e lartë me krahasimin e veturave që do të dërgohen në autolarje.
“Lënda e kontratës ka të bëjë me shërbimet e pastrimit të automjeteve policore sipas nevojave të autoritetit kontraktues. Vlera e parashikuar e kontratës: 124,000.00 euro. Data e dhënies së kontratës 23.01.2025. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 27.02.2025. Numri i tenderëve të pranuar: 2. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata Leicon SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 10.72 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Ne dosjen e tenderit tregohet se këto vetuar i përkasin vetem regjionit të Prishtinës.
“Shërbimet për pastrimin e automjeteve për Regjionin e Prishtinës: Prishtina 3 pika (lokacioni verior Vranjevc , lokacioni qendër dhe lokacioni jugor), Graqanica, Drenas, Lipjan, Fushë Kosovë, Obiliq, Podujevë, Kufiri -(Merdare, Mutivoda në pikën më të afërt)”.
Mirëpo, tutje bëhet me dije si krejt ky tender është për vetëm katër vetura. Dy xhipa dhe dy vetura të tjera.
“Pastrimi i brendshëm dhe i jashtëm i automjeteve Veturë, copë 1. Pastrimi i brendshëm dhe i jashtëm i automjeteve Xhip, copë 2. Pastrimi i jashtëm i automjeteve Veturë, copë 1. Pastrimi i jashtëm i automjeteve Xhip, copë 1”.
Policia ka treguar edhe disa detaje që kanë të bëjnë me kompaninë fituese.
“Para çdo shërbimi, ofruesi i shërbimeve është i obliguar që paraprakisht ta merr pëlqimin-aprovimin nga zyrtarët përgjegjës të Policisë së Kosovës. O/E përgjegjës për pastrimin e automjeteve duhet të ketë parasysh që të gjitha pikat e autolarjeve automjetet e Policisë së Kosovës duhet ti ketë prioritet kryesor për pastrim. Asnjë automjet i Policisë nuk guxon të lihet në pritje(të pres në radhë për pastrim)por në momentin që arrin në pikën e autolarjes duhet menjëherë të pastrohet për shkak të natyrës së veçantë policore”.
Në dosjen e tenderit thuhet se “të gjitha automjetet e Policisë së Kosovës duhet të pastrohen me preparate(shampon)të kualitetit të lartë adekuat për pastrimin e veturave që nuk shkakton dëmtime të ngjyrës së veturës. Afati kohor për kryerjen e shërbimeve menjëherë pas aprovimit të kërkesës nga zyrtarët e PK-së”./Demokracia.com/.