Rita Ora dhe Bebe Rexha janë paraqitur bashkë në skenën e ‘The Forum’ në Los Angeles për të ndarë një çmim në kuadër të edicionit të sivjetmë të iHeartRadio Music Awards.
Dy këngëtaret shqiptare me famë botërore e kanë ndarë çmimin për bashkëpunimin më të mirë dhe kanë shkëlqyer së bashku.
Trofeu për bashkëpunimin më të mirë shkoi për “The Chainsmokers” dhe “Coldplay”.
Gjatë konferencës për media në Prishtinë (me rastin e koncertit për festën e Pavarësisë së Kosovës), Rita kishte thënë se Bebe ishte njëra prej shoqeve të saja më të mira.
“E kam pasur rastin të takohem me Beben në New York dhe ajo tash është një prej shoqeve të mia më të mira”.
“Ajo është shumë argëtuese dhe shumë e mirë”, ishin fjalët e këngëtares 27-vjeçare.
Rita madje kishte pohuar se ishte e gatshme që në të ardhmen, me Beben dhe Dua Lipën të bënin një koncert të përbashkët para fansave shqiptarë.
“Nuk e kam pasur rastin të takohem me Duan, ajo është duke e bërë turneun e saj dhe unë jam duke bërë turneun tim dhe gjërat e mia. Por, kurrë nuk i dihet, ‘asnjëherë mos thuaj kurrë’”.
“Më njihni mua, unë kam qenë këtu dhe jam e gatshme ta pranoj, jam e gatshme që të gjithë të më bashkohen dhe të bëjmë diçka të shkëlqyeshme”, ishte shprehur Rita.