Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla ka reaguar pas lirimit të dy serbëve që u arrestuan të dielën në Prizren, e për të cilët u tha se ishin oficerë aktiv të shërbimeve të sigurisë serbe.
Sveçla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar forca e ligjit dhe e drejtësisë në këtë rast nuk ka pasur peshë.
“Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë”, ka thënë Sveçla, përcjell Gazeta Papirus.
Lajmin për lirimin e tyre e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.
“Lidhur me rastin e fundit, ju informojmë se pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë, prokurori i çështjes ka analizuar të gjitha provat dhe rrethanat e paraqitura gjatë fazës fillestare të hetimit. Bazuar në këtë vlerësim profesional dhe të pavarur, është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë”.
“Prokurori i çështjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet tjera hetimore duke përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurve. Prokuroria mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi të lartë, duke respektuar të drejtat e palëve dhe duke siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe objektive”.
Sveçla pati shkruar në Facebook se ata synonin të shkaktonin “tensione ndëretnike/fetare në Kosovë”, derisa Prokuroria tha se nuk ekziston dyshimi i bazuar.