Sot është shënuar dita e 14 e barrikadave në veri të Kosovës. Sot 14 ditë zyrtarët policorë po patrullojnë pa ndërprerë. Kjo gjendje sipas kreut të Sindikatës së Policëve ka tejkaluar çdo normale.
Imer Zeqiri ka konfirmua se policët ende nuk janë ndërruar. Ai foli edhe për gjendjen e tyre shëndetësore.
“Jo deri në këto momente nuk është bë ndërrim, nuk ka pasur mundësi me u bë, dhe jemi duke bërë përpjekje për me u bë ndërrimi i policisë deri tani nuk kemi një konfirmim për diçka të tillë. Jam në kontakt me zyrtarët policorë atje, deri tani gjendja e tyre shëndetësore është e mirë përkundër sfidave që kanë”, ka thënë Zeqiri.
Zeqiri ka treguar edhe për atë se a kanë ushqim e rezerva tjera të mjaftueshme.
“Sa i përket ushqimit, rezervave dhe mjeteve tjera logjistike nuk janë duke iu munguar, veç nevojitet ndrrimi me u bë se ka tejkalu çdo normale, 14 ditë pa ndërprerë kjo është e rëndë”, deklaroi ai për Insajderin.
Ditë më parë 9 policë të moshuar e të prekur nga sëmundje kronik u bartën me ndihmën e misionit paqëruajtës, KFOR, sot kryetari i Sindikatës potencoi se gjendja e tyre është stabile
“Gjendja e tyre 9 policëve është e stabile ka qenë kërkesë e menaxhmetit me u ndërru, sic e dimë ata janë ndërru për shkak se kanë pasur sëmundje kronike”, tha ai.
Afër 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë mbetur të bllokuar që në dy lokacione në veri të Mitrovicës nga vendosja e barrikadave atje.
Ndërsa, që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.
Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës.
Për t’u kujdesur për sigurinë e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës, janë shtuar patrullime edhe nga ana e KFOR-it e EULEX-it.
Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme, u paraqit mbrëmë nga Mitrovica në një konferencë për media, ku foli për barrikadat dhe çështje të tjera që lidhen me to.
Ai tha se po presin KFOR-in që t’i largojë barrikadat.
“Jemi në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, dhe presim që së ma parë të veprojë nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë, apo të themi që është rënduar. Po presim që sa më shpejt barrikadat të largohen”.
Ndërsa mbetet të shihet, a do t’i pranojnë ndërkombëtarët lutjet e Qeverisë për heqjen e barrikadave dhe transferimin e Pantiqit, apo do të hapërojnë vet drejt zgjidhjes së situatës në veri.
Ndërkohë, barrikada në veri të Kosovës janë ngritur më 10 dhjetor, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.
Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikë kalimeve kufitare, Jarinje dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.