COVID-19 vazhdon të është frika më e madhe e gjithë botës, po vazhdon të është jetë-marrësi më i pa mëshirshëm, po vazhdon të është përfshirësi më i shpejtë.
E mjekët ku do në botë po vazhdojnë të jenë heronjtë tonë.
Pacient të shëruar çdo ditë e më shumë na shkruajnë fjalët më të sinqerta për të falënderuar mantelbardhët të cilët 24/7 janë në shërbim të tyre.
Shprehje të shpirtit, emocione që dalin nga brendësia e zemres.
Një letër falënderuese për pulmologun, Dr. Shpëtim Thaçin redaksia “Famlija Jonë”, sot ka pranuar edhe nga një paciente tjetër e cila ka dashur të mbetet anonime.
“Qofsh i bekuar në jetë! Qofsh i nderuar gjithmonë!
Dhe një ditë kur mosha e pleqërisë të trokas dhe kur nipërit dhe mbesat të ulën pranë , të ndihen krenar me ju, me veprat tua ,me humanizmin tënd që jo çdo kush e ka.
Të jemi falënderues gjithë jetën!”, janë vetëm disa nga fjalët e tashmë të shëruarës nga COVID-19.
Letra e saj e plotë:
“Sot pas dy javëve shumë të rënda, shumë të vështira e të frikshme, që në mëngjes ndihesha më mirë me shëndet dhe dola rrugëve të qytetit duke kërkuar për një dhuratë.
Dhuratë për njeriun që edhe kësaj herë me bëri të ngritem në këmbë,njeriu që më shëroi për të dytën herë nga ky COVID-19 i mallkuar.
Isha e lodhur, sikur s’më mbante toka.
Hoqa dorë nga blerja dhe prapë u drejtova për të u vizituar tek mjeku.
Ç’të shihja … Sa shumë njerëz ishin mbledhur, secili mbante kokën nga dera duke e pritur mjekun në fjalë.
Disa me oksigjen, disa të mbështetur në supet e familjarëve , të lodhur por me një fije shprese!
Ajo shpresë ishte mjeku që prisnin. Në çast hyri ai, një zotëri i thjesht, i dobët në peshë por me një zemër të mbushur plot optimizëm dhe humanizëm!
Sikur ta shihni sa ju ngazëllenin sytë kur e panë!!
Veshi mantelin dhe menjëherë filloi punën. Sa njerëz dilnin duke e uruar po aq vinin .
O Zot sa mirë që bekove këtë njeri duke i dhënë fuqi, maturi dhe humanizëm.
Sa shumë jetë keni shpëtuar, sa shumë syve ua keni ndal lotin e dhimbjes, sa shumë shpresë u keni dhënë të sëmurëve.
Vall…si ndiheni?? Sa do te doja t’ia bëjë këtë pyetje mjekut por nuk kishte kohë.
E gjithë kjo, tashmë rutinë, më sillej nëpër mendje derisa ecja ngadalë.
U lodha rrugëve por nuk gjeta dhuratë të duhur për njeriun që më shpëtoi, për njeriun që nuk mi la fëmijët dhe familjarët e mi te bredhin rrugëve duke kërkuar te cili mjek mund të gjejnë shërim për mua.
Për njeriun që jo vetëm mua por shëroi edhe babain tim , familjarët e mi madje edhe shumë të tjerë që unë i referoja për tek ai.
Prandaj mendova që dhuratë më e mirë do të jetë ndjenja e falënderimit publik sepse vetëm fjalët nuk veniten , ato mbesin gjithmonë ashtu siç janë ndjerë dhe shkruar.
Qofsh i bekuar në jetë! Qofsh i nderuar gjithmonë!
Dhe një ditë kur mosha e pleqërisë të trokas dhe kur nipërit dhe mbesat të ulën pranë , të ndihen krenar me ju, me veprat tua ,me humanizmin tënd që jo çdo kush e ka.
Të jemi falënderues gjithë jetën!
I nderuarii Shpetim Thaçi . /Familja Jonë