Deputetja e Kuvendit, Duda Balje, ka thënë se vota e saj kundër në Komisionin për Buxhet dhe Transfere për propozimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti ka qenë votë në emër të Grupit Parlamentar Multietnik.
Balje ka shkruar në Facebook se nuk ka pasur të drejtë të votojë në emrin e saj, por këtë do ta bëjë kur të vijë Projektligji në Kuvend.
“Të nderuar qytetarë të Kosovës, vota ime sot në Komisionin për Buxhet dhe Transfere është vota e Grupit Parlamentar Multietnik, nuk kemi qenë kundër, në raport me votat 4 me 4 vendimi ka qenë abstenim. Shihemi për votat në Parlament në momentin e votimit, ku çdo deputet do të votojë në emrin e tij personal! Ps. Nuk kisha të drejtë të votoja në emrin tim sot”, ka shkruar Balje.
Deputetët e VV-së pamundësuan miratimin e propozimit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti në mbledhjen e sotme në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.
Pesë deputetë të pozitës votuan kundër, ndërkaq pesë të opozitës votuan pro, deputetja Balje abstenoi dhe u pamundësua kalimi i propozimit.