Këtë të shtunë nisi raundi i 23-të i Superligës së Kosovës, me kalendarin që rezervoi tre takime.
Drita vazhdon të afrohet me kreun, ndërsa këtë javë e mbylli me fitoren 2-0 ndaj Llapit, në shtëpi.
Vendasit morën avantazhin pas një autogoli të Shabanit në minutën e 46, pra në nisje të fraksionit të dytë të takimit. Ndeshja vijoi me këtë rezultat deri në minutën e 90+2’, kur Ajzeraj thelloi avantazhin dhe vulosi rezultatin e këtij takimi.
Pas këtij raundi Drita vijon të qëndrojë në vend të dytë, por tashmë shkon në kuotën e 47 pikëve, një më pak se Ballkani kryesues, por me skuadrën e Dajës që ende nuk e ka luajtur sfidën e javës së 23-të. Ndërkohë Llapi nga ana tjetër renditet në vend të pestë me 29 pikë.
Drenica mori fitoren minimale 1-0 në shtëpi ndaj Ferizajt, në një ndeshje që ishte shumë e luftuar, pasi të dyja skuadrat vuajnë në fund të tabelës së renditjes.
Goli i vetëm në këtë përballje u realizua në minutën e 55’, me Bintsouka Koxy që u dhuroi fitoren vendasve.
Pas kësaj ndeshje Drenica ngjitet në vend të 8-të me 23 pikë, teksa Ferizaj renditet në vend të fundit me 21 pikë.
Gjilani fitoi me rezultatin 0-1 në transfertën e Dukagjinit. Ky takim vijoi me barazim pa gola deri në minutën e 44’ kur Zeka shënoi për miqtë dhe u dha fitoren.
Pas kësaj ndeshje Gjilani renditet më vend të tretë me 38 pikë, teksa Dukagjini qëndron në vend të gjashtë me 26 pikë.