Ashtu sikur e parasheh ligji, nëse konfirmohet se zyrtari ka funksion menaxhues në një biznes privat gjatë ushtrimit të detyrës publike, Agjencia do të nisë trajtimin e rastit, duke u bazuar në procedurat e parashikuara për rastet e konfliktit të interesit”, kështu ka deklaruar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, në një përgjigje për Insajderin për rastin e zyrtarit komunal të Prishtinës, Bekim Brestovci.
Brestovci, i cili mban dy pozita kyçe në Komunën e Prishtinës, si drejtor i Inspektoratit dhe i Shërbimeve Publike, ka regjistruar së fundmi një kompani private me emrin “Lina&Kim Consulting” SHPK.
Kompania është regjistruar në janar të këtij viti, ndërsa në të dhënat zyrtare figurojnë si bashkëpronarë vetë Brestovci dhe e fejuara e tij, Angelina Shala, me nga 50% të aksioneve.
Për më tepër, Brestovci figuron edhe si person i autorizuar i kompanisë, çka mund të nënkuptojë përfshirje në funksione menaxhuese, të ndaluara me ligj për zyrtarët publikë gjatë ushtrimit të detyrës.
“Lina&Kim”, si aktivitet primar, ka ‘Aktivitete të këshillimit për biznes dhe këshillime të tjera për menaxhim’.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit lidhur me këtë rast.
Nga Agjencia kanë bërë të ditur se, sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, zyrtarët e lartë, përfshirë ata që ushtrojnë funksione publike – kanë të drejtë të jenë pronarë apo bashkëaksionarë në biznese private.
Megjithatë, ky ligj parasheh kufizime të qarta: zyrtarëve të lartë nuk u lejohet të kenë rol menaxhues në biznese private gjatë kohës sa janë në detyrë publike.
Po ashtu, bizneseve në pronësi të tyre u ndalohet të përfitojnë kontrata nga institucionet ku zyrtarët kanë rol vendimmarrës.
Në përputhje me dispozitat ligjore, nëse konfirmohet se ndonjë zyrtar publik ka ushtruar funksione menaxheriale në një biznes privat gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, Agjencia do të nisë procedurat për trajtimin e rastit, bazuar në rregullat për rastet e konfliktit të interesit.
Agjencia potencon se të gjitha rastet e iniciuara nga ajo për konflikt interesi trajtohen përmes një procedure konfidenciale, dhe vetëm rezultatet përfundimtare të hetimit administrativ bëhen publike.
Në përputhje me dispozitat ligjore, nëse konfirmohet se ndonjë zyrtar publik ka ushtruar funksione menaxheriale në një biznes privat gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, Agjencia do të nisë procedurat për trajtimin e rastit, bazuar në rregullat për rastet e konfliktit të interesit.
Për rastin në fjalë, Gazeta ka kontaktuar edhe drejtorin e Komunës së Prishtinës, Bekim Brestovci, për ta pyetur nëse regjistrimi i biznesit të ri përbën shkelje të ligjit për zyrtarët publikë.
Brestovci, në një bisedë të shkurtër telefonike, reagoi me nervozizëm dhe mohoi kategorikisht të ketë kryer ndonjë shkelje.
“Po dhe ku e ke hallin, a jeni ju që i përcaktoni normat ligjore apo është gjykata? Unë me vetë dëshirë e kam regjistru biznesin, është ndoshta i 20-ti i imi, nja 11 në Gjermani, nja 7-8 në Kosovë. Ju mund të merreni me këtë çështje në mënyrë ligjore në çfarë të doni ju”, u shpreh ai.
Sipas tij, fakti që biznesi është regjistruar pa pengesë tregon se gjithçka është bërë në përputhje me ligjin.
“Absolutisht nuk kam bërë asnjë shkelje. Po të kishte qenë, nuk do të më jepej mundësia për ta regjistruar. Ka një udhëzues ligjor-administrativ për procedurën e regjistrimit që thotë se një zyrtar nuk ka të drejtë me regjistru biznes…”, tha ai, duke e ndërprerë më pas telefonatën.
Ndërkohë, mbetet të sqarohet nëse figura e “personit të autorizuar” përbën funksion menaxhues sipas interpretimit të Agjencisë, dhe nëse rasti i Brestovcit do të përfundojë me masa konkrete apo jo.