Fillimi i shërbimeve të KRU “Mitrovica” në veri të Mitrovicës shënon një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të kompetencave dhe ofrimit të shërbimeve më të mira për qytetarët.
Drejtori i KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, njoftoi mbylljen e kompanisë “Ibar” dhe kalimin përfundimtar të funksioneve në duar të institucioneve të shtetit, duke theksuar se ky është një moment historik për vendosjen e kontrollit të plote të shërbimeve publike në rajon.
“Ne sot kemi vazhduar të ecim një hap drejt asaj marrëveshjeje, që ka qenë e planifikuar më herët dhe do të vazhdojmë me hapat e tjerë,” tha Kurti, teksa bëri të ditur se nga sot u është bërë e qartë se kompania “Ibar” nuk do të jetë funksionale, por vetëm KRU “Mitrovica”, tha Kurti për RTK.
Ai më tej tha se kompania “Ibar” ka qenë njësi e ndarë e KRU “Mitrovica”.
Kurti tha se nga tani do të nisë procesi i rekrutimit të punëtorëve, derisa shtoi se stafi ekzistues, veçmas ai teknik, është në funksion, teksa siguroi se ky proces do të zbatohet konform standardeve dhe normave të Autoritetit Rregullativ të Ujërave.
Ndryshe, sot, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë, u mbyll kompania paralele e ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicën e Veriut.
Ministrja në dorëheqje e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky është një hap konkret që i shërben sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e shtetit. Ajo deklaroi se, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti mes KRU Mitrovicës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, shërbimet e rregullta dhe më cilësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU Mitrovica.