Vetëm dy ditë para se të niseshin për në Shqipëri, maturantët e shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren ishin në kulmin e përgatitjeve për ekskursionin e shumëpritur.
Por, ndërsa valixhet bëheshin gati dhe maturantet prisnin me padurim ditën e nisjes, Kiks Kosova zbuloi një detaj që nuk dukej aq i pafajshëm sa fotografitë e ekskursionit.
450 maturantë u dërguan në “Hotel Bonita” në Shqipëri nga një kompani që rastësisht i përkiste askujt tjetër veçse drejtorit të Inspektoratit të komunës së Prizrenit, Islam Ukimeri.
A ishte kjo një rastësi e thjeshtë, apo një rast i pastër i favorizimit?
Kompania “Bashkimi Reisen” fitoi tenderin me një ofertë prej 107 euro për nxënës. Por rruga drejt këtij fitimi nuk ishte e drejtpërdrejtë.
Fillimisht tenderi u anulua me arsyetimin se të dy ofertuesit kishin paraparë të njëjtin hotel për akomodim.
Në rishpalljen e tenderit, kompania konkurrente “Sharr Travel” u përjashtua nga gara, ndërsa “Bashkimi Reisen” u shpall fituese, këtë herë me një çmim më të ulët.
Për të zbardhur këtë çështje, Kiks Kosova vizitoi shkollën “Luciano Motroni” në Prizren. Por përballë pyetjeve tona, drejtori Mehdi Krasniqi zgjodhi të heshtë.
Pa koment, pa shpjegim – vetëm një fjali e vetme që përsëritej:
“Gjithçka është realizuar në bazë të udhëzimit administrativ.”
Por a mjafton një udhëzim për të fshehur një gjurmë interesi?
I pyetur se pse udhëtoi në Shqipëri dhe kërkoi nga “Hotel Bonita” që t’ia heqë njërës nga kompanitë rezervimin, ai tha se gjithçka është shpifje.
Derisa akuza për keqpërdorim të detyrës, pati edhe ndaj përfaqësuesit të drejtorisë komunale të arsimit, Reshit Kushaj.
Sipas Kushaj, tenderi herën e parë u anulua, për shkak që në konfirmimin e rezervimit, Hotel Bonita, kishte shkruar se konfirmimi për rezervim i jepet vetëm kompanisë Sharr Travel, po ashtu rezervimin e njëjte e kishte Bashkimi me po të njëjtën fjali.
Andaj sipas tij, nuk u shprehën mirë gjuhësisht, për atë edhe morri rrugën për në Shqipëri që ta rregullonte.
E sa i përket drejtorit të Inspektorati në komunën e Prizrenit, Islam Ukimeri, ai tha se “Bashkimi Reisen” nuk u favorizuar për shkak të tij, por sepse kishte çmimin më të lirë.