Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot në ora 10:00, në përpjekje për të çuar përpara procesin e konstituimit të legjislaturës së nëntë. Në rend dite është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit – pozitë për të cilën VV vazhdon ta mbështesë fuqishëm vetëm një emër: Albulena Haxhiun.
Deri tani, Haxhiu ka dështuar tri herë të zgjidhet në krye të Kuvendit, për shkak të mungesës së numrave.
Në dy përpjekjet e para, ajo mori 57 vota për, ndërsa në të tretën emri i saj nuk u hodh fare në votim – seanca nuk u zhvillua për shkak të mungesës së konsensusit politik.
Megjithatë, Vetëvendosje nuk ka ndërmend të heqë dorë. Deputeti Glauk Konjufca ka bërë thirrje për marrëveshje politike, por deri më tani nuk ka asnjë sinjal për një kompromis mes partive.
Çka ndodhi me votat?
Sytë janë kthyer te Nisma Socialdemokrate – të cilët abstenuan me 3 vota, edhe pse pritej që të mbështesnin VV-në.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, e justifikoi këtë qëndrim duke thënë se “vota është e drejtë personale e secilit deputet”.
PDK ka deklaruar hapur se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat nga VV, ndërsa nga LDK kanë paralajmëruar qëndrime të ngjashme.
Sa i përket AAK-së, ata janë shprehur se do ta jepnin votën vetëm nëse kandidate do të ishin Saranda Bogujevci ose Shqipe Mehmeti Selimi – por jo për Haxhiun.
Sot është përpjekja e katërt. A do t’i sigurojë VV katër votat që i mungojnë për t’ia hapur rrugën Albulena Haxhiut drejt kryesimit të Kuvendit? Apo skenari do të përsëritet sërish?/Gazeta Papirus/