Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot do t’i shpërblejë me medalje dy ish-policë serbë të Mitrovicës veriore. Drejtorin e policisë së Mitrovicës veriore, Nenad Gjuriq dhe shefin e operativës, Aleksandar Filipoviq.
Vuçiq do t’i dorëzojë Gjuriqit, Urdhrin e Meritës për Mbrojtje dhe Siguri, i cili jepet për kryerjen e detyrave me zell në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ndërsa Filipoviq, do të shpërblehet me Medaljen e Artë për Guxim “Milos Obiliq” e cila ndahet për guxim personal, përcjell Insajderi.
Gjuriq është suspenduar nga detyra javën e kaluar me vendim të autoriteteve kosovare, pasi deklaroi se policia në veri të Kosovës, nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave.
Suspendimi i Gjuriqit kulmoi me pakënaqësitë e serbëve të cilët dhanë dorëheqje nga gjitha institucionet e Kosovës.
Më vonë, Vuçiq deklaroi se nuk qëndron mbrapa këtyre dorëheqjve, por sot duke shpërblyer tashmë ish-policët, vetëm se po e konfirmon këtë gjë.