Burgu i Dubravës, që u ndërtua në vitet 1986-87, ishte një ndër burgjet më të siguruara në Kosovë. Por, në vitin 1999, ky burg u shndërrua në kasaphane për të burgosurit shqiptarë.
Më 19 maj të vitit 1999, në burgun famëkeq të Dubravës, ku serbët mbanin në arrest qindra shqiptarë, kishte filluar mizoria e ushtarëve dhe policëve serbë kundër të burgosurve shqiptarë.
Në këtë masakër, afro 1 mijë të burgosur të rreshtuar në oborrin e burgut u qëlluan mizorisht nga ana e forcave serbe të sigurisë. Ndërmjet datave 18 e 24 maj, në burgun e sigurisë së lartë u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.
Demokracia.com e ka siguruar dosjen e përgatitur nga organet e atëhershme të Serbisë për këtë masakër.
Dosja është hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe mban numrin e protokollit 164/98, ndërsa data është 26 maj 1999, Pejë.
Në këtë dokument shfaqen pamjet e trupave të shqiptarëve të vrarë në Burgun e Dubravës. Të gjitha fotografitë e trupave të shqiptarëve të masakruar mbajnë vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Megjithëse për këtë masakër disa herë është folur për emrat e kriminelëve serbë, deri më tash askush nuk është gjykuar e as dënuar në Serbi.
Në vazhdim mund ta shihni dosjen e plotë të MUP-it serb.
KUJDES! Pamjet janë të rënda. /Gazeta Papirus/