Bedri Krasniqi, i dënuar për vrasjen e dy policëve të Kosovës: Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj më 2003 është liruar sot nga akuza për vrasjen e dy policëve të tjerë në vitin 2004, Possible Essuman dhe Arsim Rrustolli në Podujevë.
Sipas Gjykatës, nuk është arritur të provohet fajësia e të akuzuarit Bedri Krasniqi. Kurse dëshmitë e dëshmitarit Shkumbin Mehmeti i quajti “kontradiktore”.
Ky vendim është marrë nga kryetari i trupit gjykues në këtë çështje, Arben Hoti.
“Karakteristikat personale të Bedri Krasniqit dhe e kaluara e tij kriminale nuk mund të merren për bazë ”, tha Hoti.
Kush është Bedri Krasniqi dhe cila është dosja e tij?
Bedri Krasniqi ishte dënuar për vrasjen e dy policëve të Kosovës: Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj më 2003, ndërsa ishte gjithashtu nën akuzë për vrasjen e dy policëve të tjerë një vit më vonë.
Ai dyshohej dhe ngarkohej nga Prokuroria si i përfshirë në vrasjen e policit të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe policit të Kosovës, Arsim Rrustolli në Podujevë në vitin 2004.
Për të njëjtin rast, është i dënuar Shkumbin Mehmeti. Ai ishte dënuar në 9 nëntor të vitit 2007 me 30 vite burgim.
Krasniqi aktualisht është në vuajtje të dënimit për vrasjen e dy policëve të Kosovës: Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në vitin 2003. Për këtë vrasje, Krasniqi ishte dënuar me 27 vjet burg.
Ai po ashtu kishte qenë në krye të grupit që kidnapuan pronarin e fabrikës “Gllareva”, Azem Morinën. Kjo ngjarje ndodhi më 2010 dhe për kidnapim, Krasniqi u dënua me 17 vjet burg.
Krasniqi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, në dhjetor të vitit 2012. Ai ishte kapur në shtëpinë e tij në fshatin Turjakë të Komunës së Pejës.