Pas dy ditësh në arrati, i dyshuari për tentim vrasjen në një kafene në rrugën ‘Abdulla Presheva’ në Gjilan, është dorëzuar sot në Polici. Rasti ka ndodhur pas një konflikti verbal mes dy palëve, që kaloi në dhunë fizike dhe për pasojë ka mbetur i therur me thikë një person, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i dyshuari Arben Ismajli, 41-vjeçar, është paraqitur sot në stacion policor, pasi fillimisht Policia e kishte kërkuar disa herë në shtëpinë e tij, por nuk kishte arritur ta kap.
I njëjti është intervistuar nga hetuesit policorë, ku ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ismajli do të hetohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vrasje në Tentativë”.
Ndryshe, Sinjali ka raportuar se personi që u godit me thikë ishte dërguar atë natë me urgjencë në Qendrën Emergjente në Gjilan, ku pas dhënies së ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po vazhdon trajtimin mjekësor.
Në vendin e ngjarjes, me rastin e intervenimit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar thikën që dyshohet se u përdor në rast, ndërkohë që janë marrë të gjitha veprimet hetimore.