Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ka humbur dy kandidatë në qarkun e Lezhës. Leonard Trokthi dhe Etmond Stojani, pjesë e listës së hapur të PSD-së, kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre zyrtare në KQZ, duke e çuar në 17 numrin total të kandidatëve të tërhequr deri më tani nga gara elektorale, transmeton Gazeta Papirus.
Në dokumentet zyrtare të dorëzuara, të dy kandidatët justifikojnë tërheqjen me “pamundësi aktuale për t’u angazhuar në fushatë zgjedhore”, duke theksuar se vendimi është i parevokueshëm. Megjithatë, emrat e tyre do të vijojnë të mbeten në fletën e votimit, për shkak të afateve të shtypjes dhe shpërndarjes së materialeve zgjedhore. Trokthi dhe Stojani ishin pjesë e një liste me 7 kandidatë të PSD-së për këtë qark.

