Realizoi: Rozetë Telaku
Në kohën që po jetojmë ku teknologjia po mbizotëron, tradita e lashtë e artizanatit me dorë vazhdon të ketë një vend të veçantë.
Një shembull i shkëlqyer i kësaj trashëgimie është “Dora e Gjyshes” një biznes nga Prizreni i pasionuar për ruajtjen dhe përcjelljen e kulturës dhe zanateve tradicionale të punimit të veshjeve me dorë.
Ky biznes është funksional që nga viti 2022, mirëpo si filloi gjithçka na tregon pronarja e “Dora e Gjyshes” për gazetën “PAPIRUS”.
“Biznesin tim e kam filluar në vitin 2022, vitin kur lindi mbesa ime, vajza e vajzës sime. Atë vit jam inspiruar nga mbesa ime ende pa lindur, i thurja lloj lloj veshje nga entuziazmi që po bëhesha gjyshe” – tha ajo.
Punën që Znj. Morina e bën është e gjitha punëdore e që varësisht prej veshjes ndahet edhe koha për të punuar.
“Karakteristikë e veshjeve të mia është që janë punëdore 100%, materiali cilësor dhe i butë për fëmijë. Disa veshje mund t’i punoj në 3 ditë ndërsa janë disa që nevojiten deri në 7-8 ditë. Puna është mjaft e lodhshme, por mundohem të ia dal”.
Për momentin ky biznes funksionon vetëm me porosi në mënyrë online.
“Ende nuk kemi një dyqan, unë punoj vetëm online me porosi. Nga klientët që kam, vlerësohet dhe pëlqehet shumë puna ime dhe jam shumë falenderuse dhe e lumtur për këtë fakt. Interesi më madh është rreth trikove me lule, për nënë e bijë, por interesimin edhe për veshje tjera nuk mungon” – shtoi Morina.
Ajo në fund tha se është shumë e rëndësishme që çdo punë të bëhet me dëshirë e përkushtimin e duhur por shpresoi që veshjet punëdore të vlerësohen edhe më shumë pasi siç tha ajo është traditë nga gjyshet tona./GazetaPapirus