Donika Gërvalla, ministre e Jashtme e Kosovës, është deklaruar përsëri rreth çështjes së ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, i cili akuzohet për përfshirje në një skandal financiar.
Këto deklarime Gërvalla, i ka bërë gjatë konferencës së përbashkët me homologun e saj kroat, Gordan Grlic Radman i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku ka thënë se duhen fakte në tavolinë para se të vazhdohet me fushata.
“Por mendoj që ka ardhur një moment kur të gjithë ata që e vazhdojnë fushatën do të duhej ta pyesnin veten, a thua a vazhdohet fushata vetëm në bazë të supozimeve apo ka kaluar aq kohë sa në ndërkohë do të duhen faktet në tavolinë para se të vazhdojmë me fushata, me kampanja politike ndaj personave të caktuar?”.
Ajo ka deklaruar edhe se, Berishaj, i ka dhënë përgjigjet e tij në komisionin parlamentar.
“Në marrëveshje edhe me ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadori Berishaj i ka dhënë përgjigjet e tij në komisionin parlamentar ku është dashur të japë deklaratën e tij, e kam ndjekur me shumë vëmendje atë seancë të komisionit parlamentar, e kam parë që asnjë pyetje nuk ka mbetur pa përgjigje në atë seancë të komisonit parlamentar, edhe e kam parë miratimin e anëtarëve të komisionit të deklaratave të ambasadorit Berishaj gjatë asaj seance dhe prandaj më habit shumë fakti që pa pritur e pa kujtuar muaj më vonë, të njëjtit persona që kanë qenë të pranishëmn në atë seancë dhe që kanë pohuar dhe tundur kokën për secilën prej deklaratave të ambasadorit Berishaj më pas dalin dhe deklarojnë diçka krejt tjetër për një seancë të cilën e kemi parë të gjithë publikisht”, ka thënë Gërvalla në konferencë për media.
Gërvalla ka deklaruar edhe se, ajo beson që Berishaj nuk e ka problem që tu jap përgjigje mediave në një moment kur do të ketë më pak angazhime bilaterale.
“Unë nuk besoj që ambasadori Berishaj e ka problem t’u japë përgjigje mediave tona me siguri në një moment kur do të ketë më pak angazhime bilaterale, do t’ju thërrasim një ditë dhe do t’ju qëndrojmë të dy, pyetje-përgjigje pa asnjë lloj problemi, pa asnjë lloj refuzimi”, ka thënë Gërvalla.