Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka premtuar një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë, por me fillimin e bisedimeve, autori i “artit të marrëveshjes” mund ta ketë komplikuar tashmë detyrën e tij duke sakrifikuar ndikimin e SHBA-së në botë.
Trump, diskutoi veçmas për luftën të mërkurën me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe u tha zyrtarëve amerikanë që të fillonin bisedimet për t’i dhënë fund luftës gati tre-vjeçare.
Ne do të bëjmë diçka. Ne do të takohemi në Mynih, siç e dini, dhe ne do të kemi disa takime të tjera. Unë do të flas me Presidentin Putin kryesisht në telefon. Dhe në fund presim të takohemi. Në fakt, ne presim që ai do të vijë këtu dhe unë do të shkoj atje në Arabinë Saudite”, tha Trump.
Telefonata mes Trump dhe Putin erdhi menjëherë pasi Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth u tha aleatëve ushtarakë të Ukrainës në Bruksel se një kthim në kufijtë e Ukrainës para vitit 2014 ishte jorealist dhe se SHBA nuk e sheh anëtarësimin në NATO të Kievit si pjesë e një zgjidhjeje.
“E di që sekretari ynë i ri i Mbrojtjes, i cili është i shkëlqyer, bëri një deklaratë duke thënë se ai mendon se nuk ka gjasa ose është jopraktike. Mendoj se ndoshta kjo është e vërtetë. Mendoj shumë kohë përpara Presidentit Putin. Ata thanë se nuk mund ta lejonin këtë për shumë, shumë vite. Për në NATO dhe unë jam në rregull që Ukraina të mos bëhet pjesë”, tha Trump më tej.
Ky qëndrim i njeriut më të fuqishëm të botës është parë si një dorëzim përpara Vladimir Putin. I pari që reagoi ishte ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Bolton duke thënë se Trump po ndihmon Putin.
Sipas tij, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth i dha një goditje të rëndë shpresave të ukrainasve.
Ndërkohë, ministrat e jashtëm evropianë insistuan në pjesëmarrjen e Evropës në negociatat e paqes për Ukrainën.