Arkivi Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të mërkurën publikuan rreth 1.500 dokumente në lidhje me hetimet qeveritare rreth vrasjes së Presidentit John F. Kennedy më 1963.
Publikimi i kabllove sekrete, mesazheve të brendshme dhe dokumenteve të tjera u bë në përputhje me afatin e caktuar në tetor nga Presidenti Joe Biden dhe me një statut federal që bën thirrje për publikimin e të dhënave që janë në pronësi të qeverisë. Dokumente shtesë pritet që të publikohen vitin e ardhshëm.
Një dokument i CIA-s përshkruan se si vrasësi i Presidentit Kennedy, Lee Harvey Oswald, e kishte telefonuar ambasadën e Bashkimit Sovjetik përderisa ndodhej në Mexico City për të kërkuar vizë që ta vizitonte Bashkimin Sovjetik.
Ai gjithashtu e kishte vizituar ambasadën kubane, qartazi duke qenë i interesuar për vizë udhëtimesh që do t’ia mundësonte vizitën në Kubë dhe të priste atje për vizën sovjetike. Më 3 tetor 1963, më shumë se një muaj para vrasjes, ai ishte kthyer në ShBA përmes një pikëkalimi kufitar në Teksas, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.
Pas vrasjes së presidentit, autoritetet meksikane kishin arrestuar një punëtore meksikane të ambasadës kubane, me të cilën Oswald kishte komunikuar. Ajo kishte thënë se Oswald pretendonte se ishte komunist dhe admirues i Castros.
Sipas dokumente, Oswald ishte takuar me një agjent të KGB-së ruse vetëm dy muaj para vrasjes së Presidentit John F. Kennedy.
Një dokument i CIA-s, me shenjën “Vetëm për Sytë Sekret”, i përshkruan komplotet e qeverisë amerikane për vrasjen e udhëheqësit të atëhershëm të Kubës, Fidel Castro, përfshirë një komplot të vitit 1960, që e përfshinte shfrytëzimin e botës kriminale me kontakte brenda Kubës.