Që nga 1 janari i vitit të kaluar e deri më 31 dhjetor, Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka shpenzuar rreth 100 mijë euro për bileta, mëditje e shpenzime të tjera për udhëtime zyrtare.
Albin Kurti më 23 mars të vitit të kaluar kishte marrë detyrën e kryeministrit të Kosovës, i cili ishte zotuar se do të bëhen qeveri e ndryshimit.
Në raportet financiare të Zyrës së Kryeministrit të siguruara nga Demokracia.com përfshihen të gjitha shpenzimet gjatë vitit të kaluar, përfshirë edhe tre muajt e parë sa Avdullah Hoti ishte kryeministër.
Sipas këtyre dokumenteve, gjatë vitit 2021, pavarësisht situatës pandemike, Zyra e Kryeministrit ka shpenzuar 99 mijë e 658 euro e 58 centë për udhëtime zyrtare, raporton Demokracia.com.
Në këto dokumente thuhet se vetëm për bileta për udhëtime jashtë vendit janë shpenzuar 58 mijë e 845 euro e 10 centë, për mëditje të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit janë shpenzuar 18 mijë e 780 euro e 28 centë, ndërkaq për akomodim jashtë vendit janë shpenzuar 20 mijë e 605 euro e 63 centë, si dhe shpenzime të tjera gjatë udhëtimeve zyrtare, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar 962 euro e 52 centë. /Demokracia.com/