Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që t’i propozojë Kuvendit miratimin e vendimit për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht dërgimin në operacionin në mbështetje të paqes, sipas Marrëveshjes Implementuese, lidhur me Atashimin e Personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falkland.
“Misioni i FSK-së do të jetë në mbështetje të paqes në Ishujt Falkland dhe gjatë këtij misioni do t’i nënshtrohet marrëveshjes së nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë mision do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjas deri në tre vite me mundësi vazhdimi. FSK në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të shtetit pritës dhe financiarisht mbulohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë që e ka siguruar.