Qytetarët e Komunës së Prishtinës janë ankuar për rritje të çmimit të tatimit në pronë. Komuna ka thënë se rritja e tatimit është bërë për shkak të rivlerësimit të pronave nga Ministria e Financave, teksa kjo e fundit ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat. Ndërsa, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), përmes një reagimi ka sqaruar se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.
AKK-ja ka thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre, është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut.
Megjithatë, pas rritjes së çmimit, Ministria e Financave e udhëhequr nga Hekuran Murati ka nënshkruar kontratë për konsulent për tatimin në pronë si mbledhje e detyrueshme e detyrimeve të tatimit në pronë.
Për këtë, Ministria e Financave do të paguajë 2 mijë e 400 euro.
Sipas kontratës së publikuar në Prokurim, Administrata Qendër, kontratën për konsulent e ka fituar Agron Çerkini. Ai do të paguhet nga 800 euro në muaj, për kontratën që do të zgjas 3 muaj.
Ndryshe, Demokracia.com ditë më parë ka publikuar raportin e vlerësimit të përgjithshëm të pronave rezidenciale të Komunës së Prishtinës.
Sipas këtij dokumenti, del se vlerësimi i pronave në Prishtinë është bërë nga Ministria e Financave, jo nga komuna e Prishtinës dhe komunat tjera.
Në vendimin e protokolluar më 31 tetor të vitit të kaluar, i cili i është dërguar Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, specifikohet ndryshimi i vlerësimit të pronës.
Demokracia.com, po ashtu, ka publikuar ekskluzivisht raportin e vlerës së tatimit në pronë për secilën lagje të Prishtinës, qytet dhe rrethinë.